
Arsimi dhe shkenca këtë vit kanë marrë buxhetin më të madh deri më tani. Me 620 milionë euro, gati 100 milionë më shumë se vitin e kaluar, forcohen shtyllat bazë që e përcaktojnë cilësinë e procesit edukativo–arsimor dhe nxisin veprimtarinë shkencore–kërkimore. Për një periudhë të shkurtër janë bërë ndryshime të mëdha, shumica prej të cilave janë përshëndetur nga publiku. Ka edhe kritika dhe ato i pranojmë si sugjerime të mirëdashura dhe nxitje për rishikimin dhe optimizimin e disa zgjidhjeve.
Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, në mbledhjen e sotme të 16-të të Grupit Sektorial të Punës për Arsim, Punësim dhe Politikë Sociale, ku morën pjesë përfaqësues të ministrive përkatëse dhe institucioneve të tjera qeveritare, Delegacioni i Bashkimit Evropian, Zyra e UNICEF-it dhe disa organizata joqeveritare. Temë e diskutimit ishin aktivitetet e realizuara në këto fusha gjatë muajve të fundit dhe nxitja e iniciativave të reja të përbashkëta në periudhën e ardhshme.

„Siguruam më shumë mjete në të gjitha zërat, e kështu edhe për infrastrukturën. Aktualisht po ndërtojmë 7 objekte të reja shkollore, rreth 20 të tjera po i rikonstruktojmë. Po ndërtohen 4 salla të reja sportive dhe po rikonstruktohen dy konvikte studentore. Vlera e këtyre investimeve aktive është 32 milionë euro“, tha Janevska, duke theksuar se janë formuar edhe dy qendra të reja rajonale për arsim dhe trajnim profesional. Tashmë janë gjithsej shtatë dhe të gjitha do të pajisen në mënyrë moderne përmes programeve dhe fondeve të BE-së.
Cilësia e mësimdhënies në shkollat fillore dhe të mesme po përmirësohet edhe përmes përgatitjes graduale të programeve të reja mësimore dhe teksteve shkollore, ndërsa nxënësit nga shtatori do të kenë tekste në gjuhët e huaja, të cilat mungonin plot 6 vite.
Në kontekst të mësimdhënies më cilësore është edhe nisma qeveritare për futjen e mësimit me një ndërrim në të gjitha shkollat. 150 tashmë e kanë pranuar këtë koncept dhe procesi do të përshpejtohet edhe përmes optimizimit të rrjetit shkollor, i cili parasheh bashkimin e nxënësve nga shkollat vartëse me ata nga shkollat qendrore. Për një optimizim të plotë është e nevojshme ndërtimi i rreth 300 klasave dhe 70 tualeteve, me një vlerë totale prej mbi 8 milionë euro, dhe mbështetja nga organizatat partnere ndërkombëtare do të jetë me rëndësi të veçantë.
Janevska rikujtoi se punonjësit në shkolla në dy raste morën rritje të pagave, në tetor 2024 dhe në mars 2025, gjithsej mbi 12%. Pagat e profesorëve universitarë nga janari i këtij viti u rritën për 14%, ndërsa të stafit administrativ për 8%.
Ministria shpalli konkurse për ndarjen e 5,5 milionë eurove për institucionet e arsimit të lartë dhe shkencës dhe për MANU-n, për përmirësimin e infrastrukturës shkencore–kërkimore dhe realizimin e projekteve inovative.
Ministrja tha se po punohet intensivisht në forcimin e rregullativës ligjore dhe se deri tani gjatë mandatit të saj janë miratuar 5 ligje të reja, ndërsa disa të tjera janë ndryshuar në drejtim të sigurimit të më shumë të drejtave dhe mundësive për palët e interesuara. Po përgatiten edhe ligje të reja për arsimin e lartë dhe për veprimtarinë shkencore–kërkimore.

Bashkëpunimi i mirë i MASh-it me organizatat rinore ka rezultuar me përmirësimin e standardit rinor, veçanërisht standardit të studentëve. Në muajt e fundit janë siguruar mjete për transport publik falas në kryeqytet, është zgjeruar diapazoni i masës për ushqimin e subvencionuar të studentëve, janë lehtësuar kriteret për përdorimin e disa bursave dhe janë digjitalizuar procedurat për realizimin e të gjitha të drejtave studentore dhe nxënësore në kompetencë të ministrisë.
„Premtuam kontrolle intensive të punës së institucioneve të arsimit të lartë dhe atyre shkencore. Rezultati është mbyllja e 13 instituteve private shkencore dhe shkollave të larta profesionale, disa për shkak të mosaktivitetit, disa për shkak të mosrespektimit të rregullativës ligjore“, tha Janevska, duke shtuar se arsimi po merr drejtim të mirë dhe po ngrihet cilësia e rënë në mënyrë drastike për shkak të moskujdesit në të kaluarën.
Shkruani koment